RTSH 24 Live

Kosovë

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Kurti: Nuk pranojmë kushtin e Asociacionit

08/05/2024

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Kurti: Nuk pranojmë kushtin e Asociacionit

Kryeministri Albin Kurti e konsideron absurde kërkesën e ndërkombëtarëve që Qeveria e Kosovës të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese draft-statutin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në një deklaratë për media pas mbledhjes së qeverisë, Kurti u shpreh se nëse Marrëveshja e Brukselit do të ishte nënshkruar, do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Por, shtoi ai, nuk mund të dërgohet në Kushtetuese dokumente të cilat nuk janë pranuar dhe nuk janë zyrtare.

“Në javët e fundit u përballem me një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë. Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ky dokument i sjellë te ne nga përfaqësuesi special për dialog Miroslav Lajçak, së bashku me këshilltarët diplomatik të shteteve të QUINT-it, nuk pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe e aneksit të Ohrit, që është pjesë integrale e tij, dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm, por është refuzuar nga Serbia. Refuzimi nuk është pranim, refuzimi është refuzim. Draftstatuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerët të QUINT-it si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument – ‘non paper’. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha Kurti.

Kryeministri deklaroi se mungesa e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk do i shërbejë normalizimit të dialogut.

Kurti theksoi se Kosova meriton anëtarësim, por pa parakushte të tjera.

Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg., Neni 7 i Marrëveshjes Bazike, edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një  çështje urgjente”, ka nënvizuar kreu i ekzekutivit.

/rtsh.al/