Të shtunën në Kosovë u hap zyrtarisht fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Në to do të marrin pjesë gjithsej 28 subjekte politike me 1280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.
Fushata zgjedhore hapet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ora 16:30, Lidhja Demokratike e Kosovës në Pallatin e Rinisë Prishtinë, ora 17:00, Lëvizja Vetëvendosje në Sallën e sportit “Shani Nushi”, Gjakovë, ora 18:00 dhe Koalicioni për Familjen në Klan Arena Prishtinë, ora 18:30.
Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj ka zgjedhur të bëjë homazhe së bashku me kandidatët për deputetë te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, teksa hapjen zyrtare të fushatës do ta bëjë ditën e diel në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, në ora 13:30.
Numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868. Për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924, prej tyre 20.399 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësitë diplomatike, ndërsa të tjerët mund të votojnë me postë në 19 shtete.
Heshtja zgjedhore këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, do të jetë më ndryshe se në zgjedhjet e kaluara. Ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit, do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Kujtojmë, se këto janë zgjedhjet e para të rregullta që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pasi deri tani janë mbajtur disa zgjedhje të parakohshme.
Sipas KosovaPress
/ rtsh.al /