RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë/ Ministri i Brendshëm: Parandalohet sulmi terrorist në veri, zbulohet një sasi e madhe armatimi në makinën me targa serbe

23/06/2023

Kosovë/ Ministri i Brendshëm: Parandalohet sulmi terrorist në veri, zbulohet një sasi e madhe armatimi në makinën me targa serbe

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë me dije se autoritetet kanë parandaluar një sulm terrorist në veri të vendit. Në një postim në Facebook, Sveçla shkruan se është zbuluar një sasi e madhe armatimi, rreth 100m larg Komunës së Zveçanit, që ndodhej në një automjet me targa serbe.

Sipas Sveçlës, qëllimi ishte realizimi i sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Po ashtu ai pretendon se javët e fundit, nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë automjete me armatime ushtarake.

Policia e Kosovës parandalon sulm terrorist. Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë. Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e çdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë së vendit tonë. Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, shkruan Svelça.

Situata mes Kosovës dhe Serbisë mbetet mjaft e tensionuar, teksa shefi i i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell paralajmëroi se përshkallëzimi po bëhet “i rrezikshëm”.

/rtsh.al/