RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë/ Arrestime zyrtarësh për shpërdorim detyre, PDK: Zgjedhje të reja sa më parë

18/08/2023

Kosovë/ Arrestime zyrtarësh për shpërdorim detyre, PDK: Zgjedhje të reja sa më parë

Policia e Kosovës arrestoi dy persona mëngjesin e kësaj të premteje (18 gusht) në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me dyshimin se shpërdoruan detyrën.

Me urdhër të Prokurorisë, u shoqëruan drejtori i Rezervave Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

Mediet lokale raportojnë se tjetër person nën arrest është Ridvan Muharremi.

Ndalimi i dy zyrtarëve të Ministrisë vjen pas publikimit në media të disa incizimeve për të ashtuquajturin skandal të grurit dhe vajit.

Qeveria e Kosovës kishte paguar 10 milionë euro për blerjen dhe magazinimin e 300 mijë litrave vaj në rezervën shtetërore, por sasia e kontraktuar nga një kompani polake pretendohet se nuk mbërriti asnjëherë në destinacion.

E njëjta situatë edhe me furnizimin e rezervave me grurë, ku pavarësisht se është paguar për rreth 9 tonë grurë, kjo sasi pretendohet se nuk ka hyrë në territorin e Kosovës. 

"Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i lut mediat që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria dhe siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi," informoi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me një njoftim zyrtar.

Në një dalje zyrtare gjatë paradites, kryeministri Albin Kurti nuk pranoi të prononcohet.

Nga opozita, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, kërkoi zgjedhje të reja të përgjithshme në vend.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se “keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund”.

Nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë. Zgjedhje të reja sa më parë,shkroi Krasniqi.

/rtsh.al/