RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova shpall të mërkurën ditë zie në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare

02/07/2024

Kosova shpall të mërkurën ditë zie në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare

Kosova ka shpallur ditën e mërkurë (3 korrik) ditë zie në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.  

“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim nga presidenca.

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit.

Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Mjeshtri dhe kolosi i letrave shqiptare, Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Në nder të tij qeveria shqiptare ka shpallur dy ditë zie kombëtare, 2 dhe 3 korrikun.

/rtsh.al/