RTSH 24 Live

Aktualitet

Beqaj mbetet në burg

06/07/2024

Beqaj mbetet në burg
Foto arkivi

Pas 6 orësh seance, Gjykata e Posaçme vendos të lërë në burg ish- ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. 

Gjykata ka refuzuar edhe garancinë pasurore prej 50 mijë eurosh që Beqaj vendosi për lirimin e tij. SPAK po e heton ish-ministrin mbi dyshimet se përvetësoi paratë e agjencisë së fondeve të huaja që drejtoi për gati një vit.

Beqaj u shoqërua nga paraburgimi për në sallën e gjyqit dhe në seancë ai mohoi akuzat, ndërsa kërkoi lirimin duke ofruar edhe garanci pasurore në shumën e 50 mijë eurove. 

SPAK po e heton ish ministrin e shëndetësisë për shpërdorim detyre, korrupsion i zyrtarëve të lartë, mosdeklarim pasurie dhe pastrim të parave. 

Ish-ministri dyshohet se skemën e përvetësimit të parave e realizoi me vartësin e tij Ermal Kurtulaj. Ky i fundit në masën e arrestit në burg i tha gjykatës së është i gatshëm të vendosë garanci pasurore paratë e përftuara nga shitje e një automjeti. I njëjti automjet që SPAK dyshon se është pronë e Beqajt, por e regjistruar në emër të Kurtulaj. 

Në të paktën 8 raste prokuroria ka zbuluar se personat e përfshirë në dosje kanë zhvilluar aktivitete duke i mbuluar me fatura fiktive dhe shumat e parave i përvetësonin.  Në disa raste fondet agjencisë që drejtonte Beqaj shpenzoheshin për dreka e darka në restorantin "Gzona" në kryeqytet që sipas SPAK pronar është ish-ministri i shëndetësisë. Në përfundim të një seance 6 orëshe, gjykata vendosi të mos ndryshojë masën për Beqajn.

 

/ rtsh.al /