RTSH 24 Live

Kosovë

Pahor: Unë mund të jem ndryshues i lojës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

06/07/2024

Pahor: Unë mund të jem ndryshues i lojës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Ish-presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, emri i të cilit është përmendur për zëvendësimin e Miroslav Lajçak në postin e të dërguarit europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ai mund të jetë ndryshuesi i lojës në këtë proces. 

Në një intervistë për televizionin serb N1, Pahor bëri me dije se në mars ishte pyetur nga Lajçak nëse ishte i gatshëm të merrte postin. Por pasi siguroi mbështetjen e politikës sllovene, sipas tij diçka ndodhi në Bruksel, dhe në muajin qershor Lajçakut iu zgjat mandati deri në janar të 2025-ës.  

Gjithsesi ish presidenti sloven, i cili aktualisht  është drejtor i Institutit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, shprehet sërish i gatshëm për postin. 

“I them Brukselit: Ja ku jam me përvojën, arritjet, njohuritë dhe autoritetin tim, të dikujt që është i pranuar edhe në Kosovë edhe në Serbi edhe në Ballkanin Perëndimor, si një ndërmjetës i ndershëm. Dikush që zgjidhi paqësisht problemin me Kroacinë, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë pasi Sllovenia njohu Kosovën dhe pati një përshkallëzim, dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brijuni" tha ish-presidenti i Sllovenisë Borut Pahor. 

Për të Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin detyrimet dhe marrëveshjet të cilat janë zotuar ti zbatojnë.  Pa asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Serbia nuk bindet të ndërmarrë hapa para.

“Problemi i kryeministrit Albin Kurti, i qeverisë dhe i gjithë publikut politik të Kosovës është se ata e kuptojnë asociacionin si vazhdimësi e konceptit të botës serbe, pra paralele me Republikën Sprska në Bosnje dhe Hercegovinë. Ata kanë frikë se në fakt ajo i jep Serbisë një levë formale për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës. Por ai premtim është dhënë dhe është nënshkruar, në Kosovë janë të detyruar ta përmbushin dhe mendoj se është e mundur të arrihet pas një procesi", tha Pahori.

I pyetur nëse Serbia duhet të ekstradojë në Kosovë Milan Radojçiçin ish nënkryetarin e Listës serbe që ka marrë përsipër përgjejgësinë për sulmin e Banjskës, Pahor u përgjigj se duhet vepruar në përputhje me ligjet serbe dhe ndërkombëtare të cilat parashikojnë masat  për një gjë të tillë. 

Gazetare Elda Pepa


/ rtsh.al /