RTSH 24 Live

Aktualitet

Korrupsion në zgjedhje, SPAK arreston zyrtarin e kadastrës dhe ish-kryeplakun e Saukut

27/04/2024

Korrupsion në zgjedhje, SPAK arreston zyrtarin e kadastrës dhe ish-kryeplakun e Saukut

Një hetim i nisur për korrrupsion në zgjedhjet vendore ka çuar në pranga dy zyrtarë të kadastrës së kryeqytetit dhe një ish kryeplak të zonës së Saukut.

Policia njoftoi se ka zbatuar urdhër arrestet e Gjykatës së Posaçme antikorrupsion dhe ka vanë në pranga Dritan Stokan, zyrtar i kadastrës dhe Agim Osmanin ish kryeplaku i Saukut.

Në masën e arrestit në shtëpi është vënë zyrtari tjetër i kadastrës Alqi Hajdini ndërsa për shtetasin Ylli Baruti u caktua masa e detyrimit për t’u paraqitur.

Për D. S., zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe A. O., kryeplak i Lagjes së Re, Sauk, Tiranë, ka dyshime të bazuara në prova, se kanë kryer veprat penale  “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, pasi këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.

Gjithashtu me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve që kanë rezultuar nga përgjimet e bisedave telefonike, administruar në fashikullin e procedimit penal.

Për personat nën hetim A. H., me detyrë në kohën e kryerjes së veprimeve, jurist i Aluiznit, Tirana Jug dhe më pas ASHK, Tirana Jug dhe shtetasi Y. B., në rolin e sekserit, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje.

Hetimet janë zhvilluar nga prokurori i SPAK Ened Nakuçi.

/rtsh.al/