RTSH 24 Live

Aktualitet

Javës Ndërkombëtare të Sigurisë Rrugore, ministri Balla kërkon më shumë angazhim të ekspertëve të qarkullimit rrugor nëpër shkolla

09/05/2024

Javës Ndërkombëtare të Sigurisë Rrugore, ministri Balla kërkon më shumë angazhim të ekspertëve të qarkullimit rrugor nëpër shkolla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla mori pjesë në një takim të organizuar në bashkinë Fier nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor në kuadër të “Javës Ndërkombëtare të Sigurisë Rrugore”. Ekspertët e DRSHTRR të Fierit thanë se kanë ngritur “këndin edukativ të sigurisë rrugore” në një nga sheshet kryesore të qytetit, ku ekipet e sigurisë u shpjegojnë nxënësve çështjet që lidhen respektimin e rregullave të qarkullimit, pra mbi lëvizshmërinë, sinjalistikën, pedalimin dhe mbi drejtuesit e mjeteve. Dhënia e kësaj edukate në këtë moshë, tha eksperti, është një siguri që nesër të kemi drejtues më të mirë mjetesh, që respektojnë rregullat.

Nxënës të trajnuar nga gjimnazi “Janaq Kilica”, shpjeguan veprimet që duhet ndërmarrë në dhënien e ndihmës së parë në raste emergjence apo aksidentesh, duke bërë demonstrime konkreteve të veprimeve në prani të një grupi nxënësish të klasave të pesta.

Ministri Balla u la porosi ekspertëve të qarkullimit dhe drejtuesve të policisë që të vizitojnë sa më shumë shkolla ku t’u sqarohen nxënësve rregullat bazë të qarkullimit rrugor. “Me Policinë Rrugore, bëni ndonjë vizitë në shkolla, edhe në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, por edhe  për të shpjeguar rregullat e qarkullimit,” – u shpreh ai.

Ministri Balla u njoh edhe me shtrirjen dhe përdorimin e instrumenteve të teknologjisë së lartë në lidhje me monitorimin dhe kontrollin e trafikut në  akset rrugore nacionale dhe ato urbane, si kamera, radarë, sistemet e të dhënave.

Ai konfirmoi se qytetet e Lushnjës dhe Fierit janë përzgjedhur për fazën e parë të zbatimit të megaprojektit “Smart city”, që po realizohet me ekspertë të huaj me përvojë të spikatur ndërkombëtare.

Në këtë projekt janë parashikuar të përdoren një numër i konsiderueshëm kamerash inteligjente, të cilat përmes një aplikacioni, dhe inteligjencës artificiale, veprojnë në kohë reale duke dokumentuar shkeljen dhe duke sanksionuar ndëshkimin e parashikuar në ligj.

Zbatimi i këtij projekti ka nisur menjëherë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje që Ministri Balla nënshkroi në Abu Dhabi gjatë vizitës së zhvilluar para pak ditësh.

/rtsh.al/