RTSH 24 Live

Aktualitet

A ka pasur rezistencë nga fëmijët? Eksperti parashikon momentin tragjik të vetëvrasjes së Alma Arrazit bashkë me të vegjlit e saj

09/05/2024

A ka pasur rezistencë nga fëmijët? Eksperti parashikon momentin tragjik të vetëvrasjes së Alma Arrazit bashkë me të vegjlit e saj

Dyshimi se Alma Arrazi së bashku me tre fëmijët e saj të mitur janë vetëmbytur në lumin e Bunës në Shkodër ka shokuar opinionin publik, ndërsa organet hetuese ngrenë pista hetimi dhe mblidhen prova nëse kemi të bëjmë me një vetëvrasje apo vrasje.

Për ekspertin e sigurisë Faik Basha asnjë pistë nuk mund të neglizhohet dhe hetimit duhet t’i shkohet deri në fund, edhe në elementët që në dukje paraqiten të parëndësishëm.

Në “Jetë Shqiptare” në RTSH 1, Basha tha se fëmijët mund të jenë hedhur në lumë nga dikush, që mendohet se është nëna, edhe pse fjalën e fundit do e thonë hetimet.

 “Kemi vetëvrasje të nënës dhe vrasje të tre fëmijëve, ato janë vrarë nga nëna. Këtu nuk po bëj me faj nënën se ajo ka qenë në gjendje tepër të rënduar sa nuk ka fjalë dhe ndaj personave që e kanë çuar që nëna të marrë këtë vendim kaq të paimagjinueshëm duhet të marrë një përgjigje ekstreme të drejtësisë dhe duhet hetuar deri në skajin më fundor të të gjithë situatës që nga dhuna psikologjike, tradhtisë dhe presionit që ushtronte ndaj Almës, ai është drejtpërdrejtë fajtor.

Dyshimet që mund të jetë edhe një vrasje e mundshme dhe jo vetëvrasje, nuk duhet të përjashtohet. Më e mundshme është që t’i vrasësh se sa një nënë të vrasë tre fëmijët.  Nënë mund të vetëhidhet por nuk mund të merrte dhe tre fëmijët. Unë mendoj që fëmijët nuk janë vetëhedhur në asnjë lloj rrethane por janë hedhur nga dikush dhe në këtë rast mendohet nga nëna. Ata mund të jenë gënjyer për këtë shitje apo në një situatë të caktuar mund të jetë jenë hedhur, por nuk besoj kurrë që fëmijët të jenë hedhur vetë”, tha Basha.

Lidhur me tragjedinë në Shkodër ndodhet në burg bashkëshorti i Alma Arrazit, Erdgys Arrazi, i cili akuzohet për “shkaktim vetëvrasjeje”.

/rtsh.al/