RTSH 24 Live

Aktualitet

Korçë, fluturime me balona për festat e nëntorit

28/11/2020

Korçë, fluturime me balona për festat e nëntorit
korca me balona

Albanian Sky Adventure dhe Bashkia e Korçës kanë organizuar fluturime me balona me rastin e festave të nëntorit. Kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët e kanë mirëpritur këtë eksperiencë të veçantë e madje nuk kanë nguruar ta shijojnë një udhëtim me balona i cili zgjat rreth 1 orë.

Kanë qenë tre balona të cilat janë ngritur sot në qiell, ndërsa përgatitja për ngritjen e tyre është ndjekur e filmuar nga qytetarët, pasi e gjithë kjo ka qenë një eksperiencë të cilën nuk e kishin provuar më parë.Kapiten Miltiadis Kotzageridis, një pilot i njohur në Greqi ka qenë i ftuari special i bashkisë së Korçës dhe Albanian Sky Adventure për të asistuar fluturimet me balona. Ai tha se hapësira ajrore e Korçës është mjaft e përshtatshme për fluturime, ndërsa theksoi se pikërisht në Korçë mund të krijohet një qendër e rëndësishme për këtë lloj sporti për të gjithë vendin

"Faleminderit për mikpritjen tuaj në Korçë. Unë jam ftuar nga kryebashkiaku i Korçës dhe nga shoqata e Aeronautikës Shqiptare për të performuar disa fluturime me miqtë tanë të aeronautikës, në këtë hapësirë të këndshme dhe shumë të bukur. Ne kemi bërë edhe fluturime të tjera shumë të mira gjatë muajit të kaluar ku jemi kënaqur shumë. Dua tju falenderoj edhe njëherë të gjithëve ju për pritjen e ngrohtë dhe dua tju them që të jeni shumë optimistë për këtë hapësirë pasi është një hapësirë e përshtatshme për fluturime dhe këtu mund të krijohet një pikë e rëndësishme për këtë lloj sporti për të gjithë Shqipërinë."- u shpreh Kapiten Miltiadis Kotzageridis

Grupi i xhirimit i RTSH Korça ka hipur në njërën prej balonave duke provuar këtë udhëtim mbi qytetin e Korçës, një eksperiencë mjaft e veçantë e cila sipas njërit nga organizatorëve do të vijojë edhe gjatë të dielës për qytetarët e interesuar, ndërsa synohet që një sport i tillë të praktikohet çdo fundjavë në qytetin e Korçës, si një tjetër atraksion turistik që ofrohet për vizitorët e shumtë