RTSH 24 Live

Ekonomi

Konsorcium ballkanik për bimët mjekësore

22/05/2024

Konsorcium ballkanik për bimët mjekësore

Në Tiranë, u zhvillua një takim rajonal për krijimin e Konsorciumit Ballkanik të Bimëve Aromatike Mjekësore (MAPs) në Evropën Juglindore.

Në takim, ishin të pranishëm akademikë dhe profesorë të njohur nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Mali i Zi, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina, Sllovakia Serbia, Zvicra, Italia, Kroacia e Bullgari.

Pjesmarrësit diskutuan për adresimin e sfidave dhe nxitjen e zhvillimit të bimëve mjekësore dhe aromatike, kryesisht nga zonat malore.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj theksoi se dikasteri i saj "do të jetë mbështetje me politika për përmirësimin i cilësisë së MAP-ve, dhe reduktimin e mbishfrytëzimit nga grumbullimi i bimëve të egra (erozioni gjenetik). Optimizimi i burimeve gjenetike dhe përhapja e teknologjitë inovative të kultivimit për MAP-të, do garantojë një furnizim të qëndrueshëm dhe me cilësi të lartë të materialit bimor për industrinë në zhvillim të MAP-ve në rajonin tonë, si dhe do nxisë punësimin dhe të ardhurat në familjet e zonave rurale”, tha ministrja Denaj.

Krijimi i këtij konsorciumi nxit gjithashtu krijimin e mundësive të punësimit dhe të ardhurave të qëndrueshme në zonat rurale në Shqipëri.

Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike ka shënuar një trend në rritje vitet e fundit, duke u kthyer në një burim të ardhurash për mijëra familje. Gjithnjë e më shumë vihet re një prezencë të këtyre bimëve në tregun botëror të kësaj industrie.

Rritja e eksporteve bimëve aromatike mjekësore është një ndër prioritetet e politikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në Shqipëri kultivohen mbi 330 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike, që janë një vlerë e shtuar në eksportet bujqësore shqiptare.

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, eksportet janë të përqendruara në vendet e BE-së dhe kryesisht në SHBA, ku peshën më të madhe e zë tregtia e bimës së Sherbelës.

Sherbela shqiptare, zë 66% të importeve amerikane, e cila së fundi po eksportohet edhe si produkt përfundimtar (e përpunuar) për industrinë ushqimore në SHBA. Ndërsa 33% e totalit të eksporteve shkon në Gjermani, Francë, Itali dhe vende të tjera deri në Australi. Përveç sherebelës, eksportohet edhe rigon, trumza, dëllinja e zezë dhe esencat e disa lloje bimësh të tjera.

Eksporti vjetor i sherbelës drejt SHBA, arrin nga 3800 tonë deri në 4900 tonë, rreth 12 milionë dollarë.

Ky sektor punëson mbi 90,000 punonjës, 10 % e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 hektarë. Sipërmarrjet e këtij sektori po rrisin investimet edhe për përpunimin e bimëve mjekësore, duke shtuar vlerën e eksporteve.

/ rtsh.al /