Situata e pandemisë COVID 19 në Shqipëri ka ngacmuar edhe penën e shkrimtarit të mirënjohur, Fatos Kongoli. Ai ka shkruar një libër pikërisht për atmosferën e absurdit të kësaj periudhe të vështirë, të cilin e ka titulluar “Stinë pandemie”.
Pothuajse, të gjitha shënimet e këtij libri, autori i ka bërë gjatë muajit Mars. Por, këtu ndeshemi me një përkim të veçantë. Kongoli shprehet se personazhet e librit “Stinë pandemie” janë të njëjtë me personazhet e një prej romaneve më të suksesshëm të tij, “I Humburi”, vepër e cila ka si pikë referimi sërish muajin Mars, por këtë radhë Marsin e vitit 1991.
Duke qenë se vepra në një fare mënyre, paraqet realitetin e sotëm shqiptar, Kongoli nuk nguron që të përdorë here-herë humorin, ironinë e hollë, sarkazmën dhe vetironinë, kjo e fundit një element i pranishëm kurdoherë në veprat e tij.
Meqenëse, shkrimtari ka sjellë një këndvështrim të ri për temat e mëparshme që ai ka ritrajtuar, nuk ka hezituar të përcjellë edhe mesazhe që lidhen me çështje të ekzistencializmit.
“Stinë pandemie” është libri i dytë që autori ka botuar në vitin 2020, sepse pararendës i këtij është libri “Kapitulli i Amerikës”, botuar në muajin Prill të këtij viti.
Kulturë
Kongoli sjell "Stinë pandemie"
28/10/2020
Lajmet kryesore
6 orë para