RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni i Reformës Zgjedhore, Alibeaj: Kemi depozituar 4 çështje. Unë përfaqësoj PD, jo të gjithë opozitën

19/01/2024

Komisioni i Reformës Zgjedhore, Alibeaj: Kemi depozituar 4 çështje. Unë përfaqësoj PD, jo të gjithë opozitën

Pak para nisjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj ka prezantuar kërkesat e Partisë Demokratike. Në një deklaratë për shtyp, ai listoi 4 kërkesa kryesore, ndërsa theksoi se ato janë iniciuar nisur nga interesi i shqiptarëve dhe jo nga “një interes i ngushtë partiak”.

Kërkesat e PD-së, sipas Alibeajt janë listat e hapura, sistemi proporcionali kombëtar, vota e emigrantëve dhe votimi dhe numërimi elektronik.

Janë 4 çështjet kryesore të depozituara në një paket të plotë të draftuar të depozituar në Kuvend. Në identifikimin e këtyre çështjeve kryesore jemi nisur nga interesi më i madh i shqiptarëve jo nga interes i vogël partiak. Konkretisht e para çështje është ajo që ka të bëjë me listat e hapura. Propozimi i DP e përcakton qartë se sistemi zgjedhor do të duhet ët jetë me lista të hapura që do të thotë do të jenë shqiptarët ata të cilët do të përzgjedhin se cilin nga kandidatët do të duan ët votojnë. Së dyti propozimi ynë ka të bëjë me atë që quhet proporcionali kombëtar. Bazohet në një vlerë kushtetuese që është barazia e votës.

Votat e çdo shqiptari do të duhet të jetë e barabartë. Sistemi proporcional, Shqipëria një zonë, garanton këtë barazi të votës. Çështja e tretë ka të bëjë me votimin dhe numërimin elektronik. Shqipëria e 2025 meriton që shqiptarët të votojnë në mënyrë të qartë, të shpejtë pa rrezikun që vota e tyre të shpallet e pavlefshme. Votimi dhe numërimi elektronik garanton edhe nxjerrjen e rezultatit në një kohë shumë të shpejtë. Çështja e katërt është ajo që ka të bëjë me votën e diasporës. Është detyrim kushtetues, Kushtetuta i njeh çdo shqiptari të drejtën për të vendosur fatin e këtij vendi. Për këtë ne kemi propozuar që çdo shqiptar që ndodhet jashtë territorit të republikës ka të drejtë që në zgjedhjet parlamentare të votojë”, tha Alibeaj.

I pyetur për kundërshtinë e grupimit të ish-kryeministrit Sali Berisha që ai të mos jetë përfaqësuesi i opozitës si bashkëkryetar i Komisionit, Alibeaj tha se ai nuk është përfaqësues i PD dhe jo i të gjithë partive të tjera opozitare. Megjithatë ai theksoi se të gjithë opozitarët janë të lirë që të bëjnë propozimet e tyre për Reformën Zgjedhore.

Unë jam bashkëkryetar i këtij Komisioni i kërkuar nga PD me shumë luftë sepse maxhoranca nuk donte. Për të qenë realist unë jam përfaqësues i PD dhe nuk marr përsipër të jem përfaqësues i interesave të partive të tjera opozitare, ata kanë përfaqësuesit e tyre. Nuk jam përfaqësues as i atyre që mendojnë ndryshe për ato që ndodhin në mesin e opozitës.

Çështjet që ne kemi depozituar nuk janë një rreth i mbyllur i cili nuk mund të shtohet me propozime të tjera. Secili nga anëtarët e Komisionit ka të drejtën që nëse ka një ide ka të drejtën dhe është i mirëpritur për të sjellë këto propozime dhe unë jam i prirur që t’i shohim analizojmë dhe ta kemi si një lloj qëndrimi të përbashkët përballë maxhorancës. Nuk qëndron forca te bashkëkryetari, por që ky është një parlament që ka forca të barabarta maxhorancë-opozitë”, u shpreh ai.

/rtsh.al/