RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin, PS propozon Braçen si kryetar

22/04/2024

Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin, PS propozon Braçen si kryetar

Partia Socialiste ka propozuar emrin e Erion Braçe si kryetar për Komisionin e Posaçëm për Dezinformimin.

Po ashtu, maxhoranca socialiste ka propozuar edhe emrat e 5 anëtarëve, konkretisht Bledi Çuçin, Mimi Kodhelin, Pandeli Majkon, Enslemvera Zaken dhe Etilda Gjonajn.

Para këtij Komisioni do japin llogari gjitha institucionet e sigurisë në vend.

Komisioni për Dezinformimin u miratua në Parlament më 11 prill, me 73 vota pro dhe 7 kundër.

Komisioni i Posaçëm duhet të organizojë seanca dëgjimore me përfaqësues të mediave tradicionale, sektorit të biznesit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gjithashtu Komisioni i Posaçëm duhet t'i paraqesë Kuvendit një raport vjetor të veprimtarisë me analizat, gjetjet dhe propozimet për masat administrative dhe ndërhyrjet në legjislacion, që duhet të përmbajë edhe masa konkrete për të kundërshtuar fushatat e informacionit dhe komunikimin strategjik të vendeve të treta keqdashëse, përfshirë ato që kryhen nëpërmjet aktorëve dhe organizatave vendase, që dëmtojnë qëllimet e Shqipërisë dhe që janë krijuar për të ndikuar negativisht opinionin publik me qëllim për të minuar angazhimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Komisioni do të ketë një mandat 1-vjeçar dhe nëse lind nevoja mandati do të zgjatet përtej këtij afati.

/rtsh.al/