RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni Hetimor për TIMS-in, Gështenja: Bëni transparencë, Gogu: Doni tallava

11/06/2024

Komisioni Hetimor për TIMS-in, Gështenja: Bëni transparencë, Gogu: Doni tallava

Opozita ka akuzuar mazhorancën se nuk po bën transparencë me komisionin hetimor për sistemin TIMS. Deputeti demokrat, Lefter Gështenja tha se nuk ka asnjë shkak dhe arsye që mbledhjet të bëhen me dyer të mbyllura.

Sipas tij, mazhoranca ka si qëllim që të mos bëjë transparencë duke mos lejuar as mediat që të jenë të pranishme përgjatë zhvillimit të komisionit hetimor dhe duke e zhvilluar atë me dyer të mbyllura.

Po kërkojnë që mbledhjet e këtij komisioni të bëhen me dyer të mbyllura. Ligji përcakton qartë qëllimin, që është transparenca për publikun.

Nuk e kuptoj pse mazhoranca i ka bërë me dyer të mbyllura seancat. Nuk e kuptoj se çfarë sekreti hetimor ka z. kryetar për çdo dëshmitar të thërritur këtu në komision për të bërë të paktën betimin.

Pse jo për të lexuar deklaratën paraprake, nuk e kuptoj sekretin hetimor që ka kjo. Nuk besoj se asnjë nga ne nuk ka qëllim për të qenë avokat i dëshmitarëve.

Qëllimi i mazhorancës duket qartë që në prezencën e mediave në këtë mbledhje. Nuk e kuptoj frikën, çfarë meraku kemi ne për të qenë transparent me publikun”, tha Gështenja.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu tha se mbledhjet me dyer të hapura do të shndërroheshin në një tallava të qytetarit digjital.

Të zbatojmë sekretin hetimor dhe të vazhdojmë gojëkyçur e të zbatojmë ligjin duke pyetur dëshmitarët, sepse imagjinoni çfarë tallavaje do shndërrohej këtu. Ju e mendoni shtetin si qytetari digjital që do ta sillni këtu. Ju e mendoni shtetin që prokurorët dhe OPGJ-të çdo darkë në televizor”, u shpreh Gogu.

/rtsh.al/