RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni Hetimor për “Sterilizimin” dhe “Check-Up”, Ndreca: Asnjë vendimmarrje

03/04/2024

Komisioni Hetimor për “Sterilizimin” dhe “Check-Up”, Ndreca: Asnjë vendimmarrje

Nënkryetari i komisionit hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-up në Shëndetësi, Plarent Ndreca u shpreh të mërkurën se nuk ka pasur asnjë vendimmarrje apo dakordësi për mbledhjen e komisionit ditën e sotme.

Ndreca u shpreh se kryetarja e komisionit, Albana Vokshi nuk është konsultuar në lidhje me mbledhjen e sotme.

“Trishtim i madh kur sheh kolegët e opozitës që mblidhen sipas qejfit, në mosrespekt të plotë të rregullave bazike të një organi kolegjial. Çdo vendimmarrje është e komisionit dhe jo e kryetares së tij. Asnjë vendimmarrje apo dakordësi nuk ka nga komisioni për mbledhje sot, pavarësisht se dje e kishim në rend dite, por u refuzua të shqyrtohet nga kryetarja”, tha ai.

Sipas Ndrecës, njoftimet e njëanshme dhe të pavotuara apo dakordësuara në komision, janë vijim i kulturës së mosnjohjes së procedurave që i ka kthyer në parti ‘vulëhumbur’, që akoma, sot e kësaj dite, nuk po arrijnë ta gjejnë.

/rtsh.al/