RTSH 24 Live

Sociale

Kolonia "Skampis-2024" , 20 piktorë nga i gjithë vendi hedhin Elbasanin në telajo

8 orë para

Kolonia "Skampis-2024" , 20 piktorë nga i gjithë vendi hedhin Elbasanin në telajo

Rreth 20 piktorë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare u bënë bashkë në qytetin e Elbasanit për tri ditë me radhë. Ata hodhën  në telajo disa nga peizazhet më fantastike të lagjes “Kala” të këtij qyteti dhe destinacionet turistike, ku nuk munguan dhe piktura me kostume popullore të krahinave të ndryshme të zonës së Elbasanit.

Piktorët të cilët morën pjesë në këtë koloni u shprehën të kënaqur duke vlerësuar mikpritjen e shkëlqyer elbasanase dhe se tri ditët e Kolonisë së Piktorëve këtu ishin të jashtëzakonshme.  Artistët patën mundësi të realizonin piktura fantastike. Ata shpresojnë që ky qytet të ketë edhe Galerinë e Artit apo sallën ku të ketë të ekspozuar punimet e piktorëve duke i kushtuar rëndësi artit pamor.

Artur Guni, drejtor i përgjithshëm i Agjensisë së Kulturës dhe Turizmit në Bashkinë e Elbasanit e cilësoi mjaft të rëndësishme realizimin e punimeve dhe të ekspozitës së Kolonisë së Piktorëve "Skampis 2024".

“Këtë radhë zgjodhëm të kishim tematika brenda në qytet për të treguar asetet historike dhe trashëgiminë, tha Guni.

Sivjet, sipas Gunit, piktorët i kushtuan rëndësi aseteve historike, trashëgimisë dhe kostumografisë së zonës së Godoleshit, Shpatit, Shmilit dhe zonave të tjera.

Sipas tij të gjithë piktorët në mbyllje të këtij eventi i dhuruan të paktën nga një punim fondit të Galerisë së Artit ,Elbasan për ta pasuruar atë me punimet e Kolonisë së Piktorëve.

Kolonia e Piktorëve "Skampis 2024"  nëpërmjet ngjyrave solli në telajo peizazhe të mrekullueshme. Në edicionin tjetër Kolonia e Piktorëve do të jetë më e madhe në numër dhe do të shtrihet kudo për të sjellë përmes artit te pikturës, peizazhe të destinacioneve turistike, të monumenteve të kulturës.

/rtsh.al/