RTSH 24 Live

Sociale

Abuzimet seksuale ndaj fëmijëve, CRCA letër të hapur institucioneve ligjzbatuese: Mbrojini!

7 orë para

Abuzimet seksuale ndaj fëmijëve, CRCA letër të hapur institucioneve ligjzbatuese: Mbrojini!

"Për një kohë shumë të gjatë, isha shumë e stresuar, dhe fjeta shumë keq. Çfarë do të ndodhte nëse ato imazhe do të dilnin dhe çfarë do të mendonin të gjithë për mua? Në kokën time çdo gjë kishte marrë një lloj përpjestimi katastrofik se ku jeta ime do të përfundonte".

Kjo është një nga të shumtat raste të denoncimeve, për të cilat shifrat tregojnë se në Shqipëri, 1 në 10 fëmijë ka përjetuar një formë të dhunës dhe ngacmimit seksual, të paktën një herë në jetë. Sipas të dhënave të bëra publike nga CRCA në internet, ashpërsia e dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve ka dalë jashtë kontrollit.

Altin Hazizaj, CRCA deklaroi se në vendin tonë, 1 në 10 fëmijë ka përjetuar një formë të dhunës dhe ngacmimit seksual, të paktën një herë në jetën e tij, saj.

“Europa po përballet me një krizë abuzimi seksual të fëmijëve. Të dhënat në dispozicion tregojnë se rreth 1 në 5 fëmijë në Evropë kanë përjetuar një formë të dhunës seksuale. Në Shqipëri, 1 në 10 fëmijë ka përjetuar një formë të dhunës dhe ngacmimit seksual, të paktën një herë në jetën e tij, saj. Kjo do të thotë se të paktën 60,000 fëmijë dhe adoleshentë në vend janë viktima të dhunës seksuale online dhe offline. Fëmijët pavarësisht prejardhjes së tyre sociale, ekonomike, kulturore dhe gjeografike preken nga ky fenomen, duke u përballur me abuzime në mjedise të ndryshme - që nga familja, shkolla, komuniteti ku jetojnë, mediat sociale dhe platformat e lojërave e deri te mjediset institucionale. Në internet, shkalla, ashpërsia e dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve kanë dalin jashtë kontrollit. Më shumë se 100 milionë imazhe ose video të fëmijëve që dhunoheshin seksualisht u gjetën në internet vitin e kaluar, dhe kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. 98% e këtyre imazheve tregojnë fëmijë nën 13 vjeç – të cilët duhet të jetojnë me traumat e vazhdueshme të abuzimit të tyre që qarkullojnë në internet vazhdimisht. Kërkesat online ndaj fëmijëve për aktivitete seksuale (e njohur si ‘joshja’) u rrit me më shumë se 300% midis viteve 2021 dhe 2023. Fëmijët e moshës 3-6 vjeç janë duke u joshur dhe detyruar të angazhohen në sjellje seksuale, duke përfshirë aktivitetet penetruese dhe sadiste, nëpërmjet webcams", tha Hazizaj.

Duke iu drejtuar me një letër të hapur, kërkohet një reagim nga institucionet ligjzbatuese në vend.

’’Në Shqipëri, Kuvendi që prej muajit Shkurt mban në sirtarët e tij, pa asnjë shpjegim apo arsye, propozimet e CRCA Shqipëri për ndryshime në Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale. Këto propozime as janë marr në shqyrtim dhe as janë miratuar, ndonëse po bëhet thuajse një vit që prej dorëzimit të tyre! Pyetja që ne kemi për Kuvendin dhe posaçërisht për Komisionin e Ligjeve është: Nëse ju nuk mbroni fëmijët, atëherë kë jeni duke mbrojtur? ’’, tha Hazizaj.

Të dhënat nga denoncimet në Alo 116 dhe 111 gjithashtu tregojnë një situatë alarmante.

Që nga viti 2018 deri në 2023 numri i abuzimeve online është 7-fishuar”, deklaroi Belioza Çoku nga Linja e Këshillimit për Fëmijë, ALO 116.

Kjo deklaratë është nënshkruar nga 77 organizata që punojnë në të drejtën e fëmijëve në Ditën Botërore për Parandalimin e Dhunës dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve.

RTSH