Kina po zhvillon stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, në atë që e quan një paralajmërim të ashpër kundër atyre që kërkojnë pavarësi për ishullin që vetëqeveriset. Anije dhe avionë luftarakë po marrin pjesë në stërvitje, të cilat shihen si përgjigje ndaj një fjalimi të presidentit tajvanez William Lai javën e kaluar, në të cilin ai u zotua se vendi i tij do t’i rezistojë çdo përpjekjeje të Pekinit për të ushtruar kontroll mbi Tajvanin.
Në një deklaratë, presidenti Lai tha se ushtria dhe roja bregdetare e vendit po qëndron në gatishmëri në det dhe ajër. Ai shtoi se stërvitjet kineze kanë synim të prishin paqen dhe stabilitetin rajonal dhe janë një përpjekje për të detyruar fqinjët e Kinës të përdorin forcën.
Presidenti Lai theksoi se qeveria do të mbrojë sistemin demokratik të Tajvanit dhe sigurinë kombëtare përballë kërcënimeve të jashtme. Ndërsa ministria e Mbrojtjes tha se do të monitorojë kërcënimet e Kinës, por do të shmangë çdo përshkallëzim ose përplasje të drejtpërdrejtë me të.
Ministria e Transportit në Tajvan tha se trafiku ajror dhe operacionet portuale vazhdojnë të funksionojnë normalisht pavarësisht stërvitjeve ushtarake kineze në brigjet e saj. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, aleati i Tajvanit thanë se po monitorojnë situatën. Pekini zhvilloi stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, pasi Lai u betua si president në fillim të këtij viti.
/RTSH/