RTSH 24 Live

Botë

Kina kërkon konferencë paqeje për Gazën, Xi Jinping tha se padrejtësia në Lindjen e Mesme nuk mund të vijojë pafundësisht

30/05/2024

Kina kërkon konferencë paqeje për Gazën, Xi Jinping tha se padrejtësia në Lindjen e Mesme nuk mund të vijojë pafundësisht

Udhëheqësi kinez Shi Jinping bëri thirrje të enjten për një konferencë paqeje për të zgjidhur konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve. “Kina mbështet me vendosmëri krijimin e një shteti të pavarur palestinez që të gëzojë sovranitet të plotë bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e saj. Mbështesim anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB dhe mbajtjen e një konference ndërkombëtare paqeje gjithëpërfshirëse dhe efektive.” - u shpreh Shi Jinping.

Kina, e cila ka marrëdhënie të mira me Izraelin, ka mbrojtur për dekada një zgjidhje me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez. “Që nga tetori i vitit të kaluar, konflikti izraelito- palestinez është përshkallëzuar në mënyrë drastike, vuajtjet e civilëve nuk duhet të vazhdojnë pafundësisht.” – u shpreh  lideri kinez ndërsa iu drejtua udhëheqësve dhe diplomatëve arabë gjatë një forumi në Pekin.

Nga i njëjti takim, presidenti i Egjiptiti Abdel Fattah al-Sisi i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të sigurojë që palestinezët në Rripin e Gazës të mos zhvendosen me forcë nga territori i tyre i shkatërruar nga lufta. "U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbushin përgjegjësinë morale dhe ligjore për të ndalur luftën brutale izraelite dhe gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të sigurojë menjëherë ndihmë humanitare afatgjatë për Rripin e Gazës, t'i japë fund rrethimit izraelit dhe të ndalojë çdo përpjekje për të detyruar palestinezët të zhvendosen me forcë nga vendi i tyre”. – tha Al- Sisi në takimin mes liderëve arabë dhe kinezë në Pekin.

/RTSH/