Ndërtesat historike të Mosulit, përfshirë kishat dhe xhamitë, janë duke u rinovuar pas shkatërrimit të rëndë dhe bombardimeve që pësoi qyteti gjatë pushtimit nga ekstremistët e ISIS në vitin 2014. Projekti i rindërtimit, i financuar nga UNESCO, filloi në vitin 2017, me një buxhet prej 115 milionë dollarësh, të mbledhur kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bashkimi Evropian.
Ky projekt ka përfshirë restaurimin e 124 shtëpive të vjetra dhe dy pallateve historike, që ishin përmendur për bukurinë e tyre të veçantë.
Pjesë e këtij projekti janë edhe disa nga objektet më të rëndësishme kulturore dhe fetare të qytetit, të cilat do të rihapen për publikun me ceremoni të veçanta, ku do të jenë të pranishëm drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Audrey Azoulay, dhe kryeministri irakian, Mohammed Shia' al-Sudani.
Në vitin 2014, Mosuli, një qytet i njohur për shekuj me radhë për tolerancën dhe bashkëjetesën midis grupeve të ndryshme fetare dhe etnike, ra nën pushtimin e ISIS. Gjatë këtij pushtimi, ekstremistët e ISIS-it imponuan një regjim të ashpër, duke synuar grupe të ndryshme pakicash dhe duke realizuar ekzekutime dhe dhunë masive ndaj kundërshtarëve të tyre.
Pas tre vitesh, një koalicion i udhëhequr nga SHBA, në bashkëpunim me ushtrinë irakiane dhe milicitë lokale, nisi një ofensivë intensive për të rimarrë qytetin. Betejat më të ashpra u zhvilluan në Qytetin e Vjetër, ku ISIS mbajti mbrojtjen e tij të fundit.
Përfundimisht, 80% e Qytetit të Vjetër të Mosulit, që ndodhet në bregun perëndimor të lumit Tigër, u shkatërrua gjatë luftës. Dëmet nuk ishin vetëm fizike; shpirti i komunitetit, i njohur për harmoni dhe bashkëjetesë mes feve dhe grupeve etnike, u trondit thellësisht.
/rtsh.al/