Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është gati të ulet me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin për hir të paqes, pavarësisht qëndrimit të tij armiqësor.
Sipas Volodymyr Zelenskyt, Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të jenë në tryezë për bisedimet e paqes.
“Nëse ky është i vetmi konfigurim në të cilin ne mund të arrijmë paqen për ukrainasit dhe të mos humbasim njerëz, sigurisht që do ta bëjmë këtë”, tha Volodymyr Zelensky në një intervistë për gazetarin britanik Piers Morgan.
Presidenti i Ukrainës theksoi gjithashtu se qëndrimi i tij personal ndaj liderit rus në këtë rast nuk ka rëndësi.
“Unë e konsideroj atë një armik. Dhe, të jem i sinqertë, mendoj se ai më konsideron edhe mua armik”, tha Volodymyr Zelensky.
Kreu i shtetit vuri në dukje gjithashtu se Ukraina nuk mund t'i kthejë të gjitha territoret tani dhe nuk mund të humbasë miliona njerëz për hir të një rezultati që mund të mos vijë.
Ai shtoi se vendi nuk mund “të shkelë betimin e dhënë atyre që dhanë jetën për vendin në këtë luftë”.
Gjithashtu, ai ka theksuar se nuk mund të shkelë Kushtetutën dhe të njohë territoret e pushtuara si ruse.
Më herët, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se është i gatshëm të “caktojë njerëz” për të negociuar me Ukrainën për t'i dhënë fund luftës, ndërsa e quajti ‘të paligjshme’ çdo bisedë të tillë.
/rtsh.al/