Plani i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe për të zhvendosur në mënyrë të përhershme palestinezët ka hasur në reagime të ashpra dhe kundërshtuese nga kombet arabe.
Pas prezantimit të detajuar të planit të Trump, kombet arabe e shohin atë si "spastrim etnik të palestinezëve". Ky plan është në kundërshtim edhe me ligjin ndërkombëtar, sipas të cilit, transferimi me forcë i popullatave është rreptësishtë i ndaluar, dhe palestinezët, si dhe kombet arabe, e shohin këtë si një propozim të qartë që synon dëbimin e tyre dhe spastrimin etnik të palestinezëve nga toka e tyre.
Në një deklaratë të përbashkët, Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Autoriteti Palestinez dhe Liga Arabe thanë se një veprim i tillë mund të "kërcënojë stabilitetin e rajonit, të rrezikojë zgjerimin e konfliktit dhe të minojë perspektivat për paqe dhe bashkëjetesë midis popujve të tij".
Udhëheqësit arabë i kanë hedhur poshtë kategorikisht idetë e Trump, i cili sugjeroi që Egjipti dhe Jordania mund të "marrin" palestinezët nga Gaza.
Sipas Trump, ai kërkon "zhvendosjen" e përhershme të të gjithë palestinezëve nga Gaza "si një gjest humanitar", duke thënë se nuk ka alternativë për ta sepse "Gaza është një vend i shkatërruar".
Ekspertët besojnë se ky qëndrim radikal i Trump ndryshoi pozicionin e SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve, si dhe mund të ketë ndikim në procesin e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve.
/rtsh.al/