Të hënë (17 korrik) Parlamenti do të votojë Raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku PS dhe PD ka rënë dakord që të pranohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin gjeti dakordësinë në mbledhjen e kësaj të mërkure (11 korrik) që t'i rekomandojë Kuvendit pranimin e kërkesës së SPAK, për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetajt. Në seancën e së hënës deputetët do të shprehen me votë për heqjen apo jo të imunitetit të Ahmetajt. Në rast se do të votohet pro kërkesës së SPAK, atëherë i hapet rruga arrestimit të Ahmetajt.
Në mbledhje nuk kanë munguar debatet, ku opozita ka kërkuar që kërkesa të shqyrtohet në seancën plenare që do të mbahet ditën e nesërme (13 korrik). Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Gazment Bardhi tha se ata do të depozitojnë mëngjesin e nesërm kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës.
Kujtojmë se Ahmetaj ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa avokatët e tij kanë deklaruar se është larguar për probleme personale, por pa dhënë të tjera detaje mbi vendin ku ndodhet aktualisht ish-zëvendëskryeministri.
Deri më tani ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.
Hetimi për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj ka përfshirë edhe bisedat telefonike të tij të para 11 viteve. Nga këqyrja e tyre rezultoi se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj, të ketë patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit. Më pas SPAK thotë se janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve.
Sipas hetimeve rezulton që ai të ketë përfituar rreth 500 mijë euro përfitime të nisura që nga viti 2016 deri më 2020. Madje SPAK ka arritur të zbulojë edhe shkëmbime e-mailesh kur Zoto informohej mbi procedurat për inceneratorët. Në një nga këto e-maile del edhe emri i Alda Klosit, ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave.
/rtsh.al/