RTSH 24 Live

Politikë

“Ahmetaj”, Bardhi: Do kërkojmë të futet nesër në rendin e ditës! Gjiknuri, Felaj e Engjëll Agaçi, të përmendur në dosjen e SPAK

12/07/2023

“Ahmetaj”, Bardhi: Do kërkojmë të futet nesër në rendin e ditës! Gjiknuri, Felaj e Engjëll Agaçi, të përmendur në dosjen e SPAK

Deputeti Demokrat, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve tha se u ra dakord unanimisht që t’i rekomandohet Kuvendit dhënia e autorizimit SPAK për arrestimin e Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij.

Megjithatë ai theksoi se palët nuk kanë rënë dakord në lidhje me afatin kohor se kur kërkesa do t’i shkojë Kuvendit, pasi ata kanë kërkuar që të shqyrtohet në seancën e së enjtes (13 korrik) dhe jo më 17 korrik.

Bardhi tha se ata do të bëjnë nesër kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës, ndërsa shtoi se në dosjen e SPAK përmenden edhe emrat e ish-ministrit Damian Gjiknuri, Ermonela Felajt, deputetëve Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo dhe Engjëll Agaçi,

Votë unanime vendosi t’i rekomandojë seancës plenare përmbushjen e kërkesës së Prokurorisë, dhënien e autorizimit për arrestimin dhe kontrollin e banesës për deputetin Arben Ahmetaj. Ajo që ne u ndamë në qëndrime ishte koha në të cilën do të duhej që seanca plenare të miratojë këtë kërkesë të Prokurorisë. Kërkesa jonë ishte që ky raport të shqyrtohet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e nesërme plenare, por u vendos në mënyrë arbitrare që të shqyrtohet të hënë. Nesër do depozitojmë kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës që Prokurorisë t’i hapet rruga për të vepruar menjëherë. Disa emra të përmendur janë të kallëzuar prej nesh, në këtë aferë përmendet ish-ministri Damian Gjiknuri, ish-ministrja Ermonela Felaj, ka të dhëna për deputetët socialistë Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo, Engjëll Agaçi. Gjithë kjo organizatë kriminale dhe një nga çështjet që ne kemi ngritur është pse po veçohen çështjet nga SPAK sepse duket qartë që kjo të mos trajtohet si grup i strukturuar kriminal, koka e të cilit është Edi Rama”, tha Bardhi.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin gjeti dakordësinë në mbledhjen e kësaj të mërkure (11 korrik) për pranimin e kërkesës së SPAK, ndërsa në seancën e së hënës deputetët do të shprehen me votë për heqjen apo jo të imunitetit të Ahmetajt. Në rast se do të votohet pro kërkesës së SPAK, atëherë i hapet rruga arrestimit të Ahmetajt.

/rtsh.al/