RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Burgosja e Salianjit, akt lufte, do t'i përgjigjemi me mosbindjen më të fuqishme civile

2 orë para

Berisha: Burgosja e Salianjit, akt lufte, do t'i përgjigjemi me mosbindjen më të fuqishme civile

“Akt lufte ndaj opozitës” e ka konsideruar kreu i PD-së, Sali Berisha burgosjen e deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Në një deklaratë për mediat, Berisha paralajmëroi “mosbindjen më të fuqishme civile” si përgjigje. Megjithatë ai sqaroi se nuk do të shmangin proceset zgjedhore dhe as nuk do të dalin nga Parlamenti.

Demokrate e demokratë! Qytetarë dhe qytetare. Burgosja e Ervin Salianjit ishte një akt lufte ndaj nesh. Unë jam sot këtu para jush për të deklaruar se PD, do ti përgjigjet këtij akti lufte me qëndresën më të fuqishme qytetare, me mosbindjen më të fuqishme civile, se kjo parti as nuk kalon në klandestinitet as nuk shmang proceset zgjedhore. Por kjo parti do të përdorë të gjithë guximin, vendosmërinë, trimërinë, e mijëra e mijëra anëtarëve dhe mbështetësve të saj, në mënyrë që ti japë përgjigjen më të merituar mafias Rama-Xhafaj, në mënyrë që të realizojë atë që në pamje të parë duket mision i pamundshëm.

Por si parti e misioneve të mëdha e të pamundshme, për demokratët sot nuk ka asgjë të pamundshme. Do të realizojë përmbysjen e kësaj ngrehine droge dhe krimi të vëllazërive mafioze, Rama, Xhafaj etj., dhe do të çelë për shqiptarët rrugën e zgjedhjeve të lira në një qeveri teknike. Do të rikthejë Shqipërinë në proceset e zhvillimit dhe integrimit të saj”, u shpreh ai.

Ai ftoi demokratët që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për më 6 tetor.

Së pari do të jetë padiskutim protestë kombëtare. Kjo jashtë çdo dyshimi. Së dyti, do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafias Rama-Xhafa dhe fillimit të betejës tonë, e cila ishte 100% e programuar dhe planifikuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Deputetët e opozitës do të jenë në udhëheqje të protestës, revoltës dhe mosbindjes civile në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit, aty ku të lipset dhe ti kërkojë nevoja, ku të japin më shumë në këtë betejë. Për deputetë, drejtuesit e PD, ka vetëm një objektiv dhe moto, betejë, betejë dhe vetëm betejë”, theksoi Berisha. 

/rtsh.al/