RTSH 24 Live

Sociale

Katër dekada në arsim, Hyrie Xhafa rrëfen pasionin nga mjekësia te mësimdhënia

07/03/2025

Katër dekada në arsim, Hyrie Xhafa rrëfen pasionin nga mjekësia te mësimdhënia

Në prag të përmbylljes së 38 viteve në arsim, mësuesen e letërsisë Hyrie Xhafa e gjejmë mes nxënësve të shkollës 9-vjeçare "Edith Durham", teksa jep mësim me të njëjtin përkushtim.

Në këtë 7 mars, ajo rrëfen si u transformua brenda saj dëshira për të shëruar njerëz në dëshirën për të edukuar brezat.

"Në atë kohë kam kërkuar të isha mjeke, por edhe ky profesion më ka dhënë shumë kënaqësi. Në ato kohë ishin të kondicionuara të drejtat e studimit. Unë kisha interpretuar në skenë kur që fëmijë dhe dikush aty, kur u bë emërimi, tha që kjo reciton shumë bukur dhe 'çojeni për Gjuhë-Letërsi'. E nisa në Fushë-Arrëz të qytetit të Pukës në vitin 1987. Këtu do ta mbyll për kaq sa më ka mbetur," shprehet mësuese Hyria.

Ajo flet për përkushtimin ndaj punës, duke u ndalur tek ndryshimi që kanë pësuar brezat. 

"[Atëherë] nxënësit ishin të përkushtuar me të gjithë forcën ndaj figurës së mësuesit. Edhe këta janë brez shumë i mirë, janë shumë të zgjuar, por janë paksa më të tërhequr në përqendrim," tregon znj. Xhafa.

Me dëshirën për t‘u shprehur, një pjesë e nxënësve në kohën kur po zhvillohej një mësimi dhanë këtë vlerësim për mësuesen e tyre.

"Zysha nuk e njeh bërtitjen. / Është e rreptë, ama do të mirën për ne. / E preferuara ime," thanë tre nxënës të shkollës 9-vjeçare.

7 Marsi, si një ditë simbolike kur nderohet puna dhe përkushtimi i pakursyer, shërben jo vetëm si kujtesë kolektive, por si vlerësim i çdo dite në edukimin e brezave nga mësuesit.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/