Në ditën e tyre, mësues nga i gjithë vendi, që kanë dhënë kontribut në arsim, janë nderuar me çmim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Ministrja Ogerta Manastirliu e vlerësoi kontributin e mësuesve si themelor për shoqërinë.
"Fjalët nuk gjenden kollaj, sepse i juaji është një kontribut që shkon përtej asaj që mund të përshkruhet me fjalë. E juaja është një punë që ndihet, që përjetohet, që mbetet e gdhendur nëmendjen dhe kujtesën e çdo fëmije derisa ai rritet, përgjithmonë," deklaroi ministrja e Arsimit.
Kryeministri Edi Rama theksoi se figura dhe autoriteti i mësuesit është vendosur në vendin që i takon.
"Të gjithë mësuesit dhe mësueset e Republikës së Shqipërisë janë plotësisht të lirë të kenë çfarëdolloj opinioni politik. Të gjithë ata që përfshihen në këtë komunitet hyjnë nga një derë e vetme, që është dera e meritokracisë," tha z. Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se tashmë synimi kryesor është që për mësuesit të arrihet rroga mesatare mbi 1 mijë euro.
"Paga mesatare 950 euro është fakt domethënës i fuqizimit ekonomik të vendit, por edhe për të fuqizuar mësuesit dhe buxhetet e tyre familjare. Është pagë dinjitoze, por nuk është absolutisht fundi, por është një stacion, një rrugë, që ne përsëri do të rikthehemi tek paga e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve dhe të gjithë atyre që i shërbejnë njerëzve. Ambicia jonë është për ta çuar paga në mesatare të mësuesve përtej 1 mijë eurove," tha kryeministri.
Më mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe e që nga ajo ditë, 7 Marsi festohet në Shqipëri si Dita e Mësuesit.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/