Koha me diell dhe temperaturat e larta bëjnë që plazhi i Adriatikut të frekuentohet që me ardhjen e pranverës ku banjat e diellit në rërën e butë janë aq të dashura. Për ti paraprirë fluksit për sezonin turistik hotelet në këtë zonë kanë nisur përgatitjet ndërsa kontratat me agjencitë e huaja janë lidhur prej kohësh. Menaxheret e hoteleve thonë se që në muajin prill pritet ardhja e grupeve të para me turistë të huaj.
“Pjesa e rezervimeve fillon që në prill këtë vit, duke nisur me grupet e francezëve dhe gjermanëve në krahasim me vitet e tjera që nuk kanë qenë këto rezervime”, u shpreh Gerent Taçja menaxher hoteli.
Në pikun e sezonit turistik duket se do të jetë e vështirë për të gjetur dhoma të lira , pasi muaji korrik dhe gusht nuk kanë më hapësira për rezervime.
“Në muajt korrik, gusht dhomat e hoteleve janë plotë dhe nuk kemi hapësira për rezervime”, u shpreh ai.
Shumica e hoteleve cilësore në zonën turistike nga Durrësi deri në Qerret, në një vije bregdetare mjaft të gjatë, për të joshur vizitorët po aplikojnë me paketat “all inclusive”, ku ofrohet ushqimi , akomodimi, aksesi në plazh dhe frekuentimi i SPA-ve.
/rtsh.al/