RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Serbia ndërhyri në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

9 orë para

Kurti: Serbia ndërhyri në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke përmendur një sërë aktorësh shtetërorë dhe jo-shtetërorë serbë që kanë pasur ndikim në procesin zgjedhor. Gjatë një konference për shtyp, Kurti ka theksuar se ky ndikim ka qenë veçanërisht i dukshëm në katër komunat veriore dhe gjashtë komunat me shumicë serbe.

Kurti ka theksuar se ndërhyrja e Serbisë është një sulm ndaj demokracisë dhe sovranitetit të Kosovës.

“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një cenim që i bëhet demokracisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ajo ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serb dhe të pakicave jo serbe, e të cilat janë nën kontrollin e plotë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të qeverisë e të inteligjencës dhe krimit të organizuar atje”, u shpreh Kurti.

Kurti ka identifikuar shtatë entitete serbe të përfshira në ndërhyrje, përfshirë presidentin Aleksandër Vuçiq, Milan Radojçic, Petar Petkoviqin, si dhe shërbime të kontrolluara nga Beogradi. Ai ka akuzuar Serbinë për manipulimin e procesit zgjedhor, duke synuar të favorizojë Listën Serbe dhe kandidatët që janë nën ndikimin e Beogradit.

Sipas Kurtit, Serbia ka përdorur metoda të ndryshme për të ndikuar në votuesit, duke përfshirë joshjen financiare, shantazhin, kërcënimet, si dhe manipulimin me listat e votuesve dhe organizimin e transportit për t’i sjellë votuesit në Kosovë.

"Kemi identifikuar 7 instanca shtetëror e jo shtetëror të Serbisë. I pari është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i dyti është kryeterroristi Milan Radojcic, pastaj është Petar Petkovic, BIA serbe, mediat serbe të kontrolluara në Beograd, Lista Serbe dhe së fundmi është edhe struktura ilegale përfshirë këtu Bankën Postare Kursimore, qendrat sociale, zyrat e pensioneve, MTS - telekomi i Serbisë si dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Në zgjedhjet e fundit format e ndërhyrjes kanë dalluar për shkak të përmirësimit të dukshëm të sigurisë në katër komunat veriore, rezultat i sundimit të rendit e ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Si zëvendësim janë rritur format e tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kërcënimi financiar, shantazhi e frikësimet e kërcënimet, por edhe sulmet kibernetike", ka thënë Kurti.

Kurti ka vënë në dukje se ndërhyrja ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e deputetëve të komunitetit serb dhe të pakicave të tjera jo-shumicë, që janë të kontrolluar nga presidenti serb.

/rtsh.al/