Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre në Kosovë.
Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar për ‘Radion Evropa e Lirë’ se, “tani për tani nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave”.
Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.
“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.
Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë në qershorin e vitit 1999 menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.
KFOR fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.600.
Ndërkaq, ditën e sotme ushtarët amerikanë të misionit të KFOR-it kanë realizuar patrullime përgjatë kufijve në veri të Kosovës.
Sipas KFOR-it, këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
KFOR-i shpjegon më tej se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse të sigurisë”, theksohet në njoftimin e KFOR-it.
/rtsh.al/