Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Parlamentare të 9 shkurtit deri në momentin kur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme do t’i shqyrtojnë ankesat që janë paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë konfirmuar se ankesat lidhen me votimin me postë.
“Është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare”, ka shkruar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka në Facebook.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm.
Procesi i numërimit të votave në QNR ka përfunduar të mërkurën, derisa subjektet politike kanë pasur afat 48 orë për të paraqitur ankesat.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për RTK-në, lidhur me ankesat në procesin e numërimit të rezultateve ka konfirmuar se është në fazën e grumbullimit dhe verifikimit të informacionit.
/rtsh.al/