RTSH 24 Live

Sociale

7 Marsi i fundit, dy mësuese mes lotësh rrëfejnë ndjesitë e bukura të profesionit

07/03/2025

7 Marsi i fundit, dy mësuese mes lotësh rrëfejnë ndjesitë e bukura të profesionit

Meleqe Hasa dhe Elida Bylyku janë dy mësueset më të vjetra në shkollën "Qamil Guranjaku" në Elbasan.

Sivjet, pas 38 vitesh punë, ky është 7 Marsi i tyre i fundit si mësuese mes nxënësve, duke përjetuar emocione shumë të veçanta.

Të përlotura ato tregojnë vitet e gjata të punës si mësuese dhe ndjesinë më të bukur që u falin nxënësit.

"Fati deshi që u bëra mësuese. Është një punë shumë e bukur, edhe e lodhshme," shprehet mësuese Elida.

"Ne që kur vijnë fëmijët në klasën e parë duhet të hyjmë në botën e tyre, të njohim karaktere të ndryshme dhe të përshtatemi me ta, të përfshihemi në fantazinë e fëmijëve. Sivjet kam klasën e dytë. Ata më shohin në dritën e syrit dhe më thonë 'mësuese, mos na lër!'," thotë mësuese Meleqja.

Ato shprehen se marrëdhënia mësues-nxënës është një lidhje përtej punës, ku fëmijëve hera-herës duhet t'u bëhesh edhe nënë, edhe gjyshe për t'u qëndruar sa më pranë.

"Ata janë aq të pafajshëm. Shumë herë në vend që të thonë 'o, mësuese' thonë 'o, ma'. Vërtet ne jemi mamaja dhe mësuesi, nganjëherë edhe gjyshja," tregon znj. Bylyku.

Mësuese Elida shprehet se përveç kujtimeve të bukura, puna e mësuesit ka shumë vështirësi, sidomos me brezat e rinj, të quajtur brezat e teknologjisë.

"Sot me ardhjen e teknologjisë, fëmijët nuk përqendrohen kollaj. Kur vijnë ndonjëherë më shumë dinë të flasin anglisht, se kanë parë kukulla në celular, sesa shqip," thotë mësuese Elida.

Duket se ndarja nga nxënësit do të jetë e vështirë për këto mësuese të përkushtuara, teksa jashtë profesionit shprehen se do të jenë gjithnjë pranë nxënësve të tyre.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/