Në 48 orët e ardhshme, procesi i përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste (PS) pritet të jetë tepër intensiv. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime të rëndësishme me drejtuesit e qarqeve për të diskutuar dhe propozuar kandidatët për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Takimet, të cilat janë zhvilluar që nga orët e para të mëngjesit të së dielës, do të vazhdojnë edhe pasditen e kësaj dite në vilën qeveritare 30. Fokus i diskutimeve është përpilimi i listës së mbyllur dhe të hapur të kandidatëve për deputetë. Deri më tani Rama ka zhvilluar diskutime me drejtuesit e qarqeve Mirela Kumbaron, Ulsi Manjën, Emirjana Sakon, Benet Becin, Blendi Klosin, Bledi Çuçin dhe Niko Peleshin. Ndërkaq pasdite pritet të vijojnë diskutimet me Belinda Ballukun, Eduart Shalsin, Ogerta Manastirliun, Elisa Spiropalin, Arbjan Maznikun dhe Ervin Demon.
Përmes një postimi, Rama ka ndarë pamje nga takimet duke përmbledhur gjithë diskutimet në një frazë: "Kantieri, Shqipëria 2030", termi për të përshkruar angazhimin e qeverisë në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, me synimin për t’i hapur rrugë integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Evropian.
Më herët, kryeministri Rama ka theksuar se gratë dhe vajzat socialiste, të cilat kanë kontribuar në PS, do të kenë një vend në listën e sigurt, ndërkohë që burrat do të duhet të luftojnë për mandatet elektorale.
Lista e kandidatëve të PS pritet të sjellë surpriza, ku mendohet të ketë rifreskim të emrave me aplikantët socialistë që vijnë nga portali “Deputeti që duam”. Në fokus do të jenë edhe emra që vijnë nga diaspora, që voton për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Edhe pse diskutimet po vazhdojnë, lista përfundimtare e kandidatëve nuk pritet të bëhet publike para datës 12 mars, kur do të mblidhet kryesia e PS-së për të miratuar përfundimisht listën e hapur dhe të mbyllur.
/rtsh.al/