Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën se në Shqipëri, jo vetëm po ndërtohen rrugë, shkolla dhe spitale, por ato po ndërtohen edhe sipas standardeve evropiane.
Nëpërmjet një video-mesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, Rama bëri të ditur se nuk është vetëm ndërtimi sipas standardeve më të larta evropiane i aksit Shëngjin-Velipojë që kam, sipas tij, “një panoramë mahnitëse, por po ndërtohen edhe dy segmente të rrjetit evropian në Shqipëri, Korridori Blu dhe Korridori 8-të.
Sipas tij, sot se kurrë më shumë se sa në këtë dekadë nuk janë ndërtuar rrugë, shkolla dhe spitale sipas standardeve evropiane.
Në rubrikën “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj tre komentuesve të cilët kanë reaguar pas publikimit nga kryeministri të punimeve për aksin Shëngjin-Velipojë.
“Janë ndërtuar 53 spitale të reja, 450 shkolla, thuajse 1 mijë kilometër korridore kombëtare, pa llogaritur disa mijëra të tjera kilometra rrugë turistike, rurale e urbane. Aksi Shëngjin-Velipojë është një aks i mahnitshëm panoramik. Që kur nuk mbahet më mend rruga përkatëse ka qenë ëndërr e banorëve dhe një premtim i politikanëve. Tanimë ajo rrugë është drejt përfundimit dhe postimi sot në mëngjes i videos për të ka nxitur komente në të cilat dy ose tre vlejnë të diskutohen”, deklaron Rama.
Duke iu përgjigjur një komentuesi që pretendon për mungesë standardesh në ndërtimin e rrugëve, Rama theksoi se në fakt e kundërta është e vërtetë.
“Nëse ka një dallim kryesor fare mes çfarë ndodhte me rrugët e kënetës dhe çfarë i karakterizoi afro mijëra kilometra rrugë të ndërtuara dhe rindërtuara prej nesh, janë standardet. Këtë nuk e them unë, këtë e thonë partnerët tanë të BE-së”, tha Rama.
“Pas një beteje të gjatë ne e futëm Shqipërinë edhe në korridoret evropiane në vitin 2023 dhe po ndërtojmë dy segmente të rrjetit evropian në Shqipëri, Korridorin Blu dhe Korridorin 8”., deklaron Rama.
/rtsh.al/