Ndahet nga jeta në moshën 53-vjeçare, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet rrjeteve sociale nga bashkëshortja e tij, Suela Kapllani Harasani, postim të cilin ajo e shoqëron edhe me një foto.
“Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të njeriut tonë të zemrës, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait, mikut Andis Harasani. Andisi ynë luftoi për jetën me forcën, besimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte gjithmonë. Ai luftoi fort për ne dhe nuk rreshti kurrë së dhuruari dashuri, mbështetje e forcë. Fatkeqësisht, e humbëm betejën kundër kancerit. Unë, Thea dhe Henry jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim jete që krijuam bashkë. Ti do mbetesh në zemrat tona njeriu ynë më i shtrenjtë, me humor të pakrahasueshëm, gjithë mençuri e guxim për të ecur përpara. Do na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!”, thuhet në mesazhin e postuar në rrjetet sociale.
Andis Harasani shërbeu si deputet në periudhën 2005–2009. Para mandatit të tij, ai pati një rol të rëndësishëm në politikat energjetike të Shqipërisë, duke drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nga viti 2002 deri në vitin 2005.
Pas largimit nga jeta politike, Harasani u angazhua në fushën e biznesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/rtsh.al/