Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se një kopje e monumentit të Skënderbeut, që ndodhet në Sheshin ‘Skënderbej’, do të vendoset edhe në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.
“Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për psenë e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit. Arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast. Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris. Po, po, e lexuat mirë! Parisi do të ketë Skënderbeun e vet”, shkruan Rama.
Sipas tij, pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, “kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij”.
“Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemër trazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhti tjetër për të më akuzuar”, shkruan Rama.
Monumenti i Skënderbeut në Tiranë është vendosur në vitin 1968 dhe ndodhet ne zemrën e kryeqytetit. Ky monument është vepër e tre bashkautorëve: Andrea Mano; Janaq Paço dhe Odhise Paskalit.
Monumenti u vendos në Tiranë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Përpara tij, në të njejtin shesh ndodhej edhe monumenti i Ismail Qemalit, të parit krijues të shtetit shqiptar, babait të pavarësisë kombëtare.
/rtsh.al/