Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se kaosi dhe dhuna që deputetët e PD po zhvillojnë në kuvend dhe jashtë saj nuk ka lidhe me futjen në burg të deputetit demokrat Ervin Salianji.
Në një deklaratë për mediat, Balla tha se opozita përsërit të njëjtin skenar çdo vjeshtë sa herë që Shqipëria hedh hapa të rëndësishëm para për integrimin e saj në BE.
Ministri Balla ka bërë një apel për deputetët e opozitës që të mos përsërisin skenarët e dhunës në Kuvend, por të përdorin të drejtën e tyre për të folur në Foltoren e Kuvendit, për të cilën janë mandatuar.
“Kjo nuk është një situatë që ndodh për herë të parë, pothuajse e kemi çdo vjeshtë. Edhe para një viti ishte e njëjta situatë. Sa herë Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të saj historik drejt BE, ku në dy javë kemi konferencë e dytë ndërqeveritare që hap zyrtarisht kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në BE, kthehemi në të njëjtën situatë. Kush mendon se kjo sjellje ka të bëjë me një vendim të caktuar gjykate e ka gabim. Kush mendon se të përsërisësh të njëjtën marrëzi dhe të presësh rezultat të ndryshëm e ka gabim. Apeli im si koleg është që dhuna nuk ka vend në një demokraci dhe nëse unë do isha deputet i opozitës do e përdorja nderin e madh që më ka bërë populli për t’i përfaqësuar duke folur në emër të tyre në foltoren e kuvendit”, tha Balla
Lidhur me reagimin e kryeministrit Rama për dënimin e Ervin Salianjit, Balla tha se nuk ka komentuar një vendim gjykate, por ka reaguar ndaj një fenomeni që duhet të marrë fund, siç është ai i kallëzimit të rremë dhe shpifjes.
“Në demokraci pushtete janë të ndara, mos prisni asnjë përfaqësues të PS të komentojë vendimet e gjykatave. Është ndryshe të komentosh një fenomen, dhe ndryshe një vendim gjykate. Ai fenomen duhet të marr fund, ndërkohë që vendimet e gjykatave duhen respektuar”, tha Balla.
Deputetë e përjashtuar të opozitës kanë bllokuar sot hyrjen e Kuvendit duke mos lejuar futjen e kolegëve të mazhorancës. Është dashur ndërhyrja e gardës që deputetët e PS të hyjnë në seancë, ndërsa nuk kanë munguar tensionet dhe përplasjes mes opozitës dhe gardistëve.
/rtsh.al/