RTSH 24 Live

Aktualitet

Jep dorëheqjen gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska. Institucioni mbetet me 8 anëtarë

19/09/2024

Jep dorëheqjen gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska. Institucioni mbetet me 8 anëtarë

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska ka dhënë dorëheqjen nga ky institucion. Sipas informacioneve paraprake bëhet e ditur se Toska e ka dhënë dorëheqjen për arsye personale.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese mbetet me 8 anëtarë nga 9 që në përbërjen e saj.

Largimi i Elsa Toskës pritet të krijojë komplikime në proceset vendimmarrëse në këtë institucion duke qenë se përbërja e gjykatës mbetet në 4 me 4 dhe bën që Kushtetuesja të mos dalë me një vendim për çështje të caktuara.

Kuvendi e votoi Toskën me 105 vota pro dhe 2 kundër si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në nëntor të vitit 2019, ndërsa ajo bart edhe një jetëshkrim të pasur. Pas kalimit të vettingut, Elsa Toska u bë një nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Toska ka qenë këshilltare ligjore prej 12 vitesh në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Toska kaloi me sukses Vettingun duke u konfirmuar në detyrë.

Elsa Toska ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Ajo e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punonte si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.

Gjithashtu referuar CV-s së saj ajo ka punuar si pedagoge në disa universitete në vend si dhe ka bashkëpunuar në rolin e ekspertet me një sërë organizatash ndërkombëtare.

/rtsh.al/