RTSH 24 Live

Politikë

Java e Asamblesë së OKB-së, presidenti Begaj kryeson delegacionin shqiptar

18/09/2023

Java e Asamblesë së OKB-së, presidenti Begaj kryeson delegacionin shqiptar

Nis këtë të hënë (18 shtator) java e nivelit të lartë e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku multilateralizmi dhe rendi ndërkombëtar bazuar në rregulla do të jenë ndër prioritetet kryesore të saj.

Dita e parë e debatit të përgjithshëm do të jetë të martën (më 19 shtator), ditë në të cilën do të mbajë fjalën e tij edhe Presidenti Bajram Begaj.

Ky i fundit do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në Nju-Jork në vigjilje të Sesionit të 78-të të Asamblesë së OKB-së.

Po ashtu, kreu i shtetit do të zhvillojë takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në SHBA.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani iu bashkua të dielën panelit të organizatës ndërkombëtare të punës. Që synon të identifikojë iniciativat që vendet mund të shfrytëzojnë për përshpejtimin e realizimit të prioriteteve.

Shqipëria do drejtojë më 20 shtator Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nderi i takon Kryeministrit Rama i cili do jetë në krah të Bajden (Joe Biden)  dhe liderëve të tjerë. 

Ndërkaq, edhe Kryeministri Edi Rama më 20 shtator, pritet të drejtojë debatin e hapur me fokus stabilitetin dhe paqen. Gjatë kësaj dite kryeministri Edi Rama do të ketë një takim dypalësh me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski.

Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Këshillit Europian Sharl Mishel (Charles Michel) do të mbajnë fjalën në emër të BE-së, si dhe do të takohet me liderë nga e gjithë bota.

/rtsh.al/