RTSH 24 Live

Rajon

Jakov Millatoviç betohet në parlament, merr zyrtarisht detyrën e presidentit të Malit të Zi për 5 vjet

20/05/2023

Jakov Millatoviç betohet në parlament, merr zyrtarisht detyrën e presidentit të Malit të Zi për 5 vjet

Duke lexuar tekstin e betimit para deputetëve të Parlamentit të Malit të Zi, ministrave, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe liderëve të vendeve të rajonit, Jakov Millatoviç zyrtarisht mori detyrën e presidentit të Malit të Zi.

“Betohem se do të kryej detyrën e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri. Sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Millatoviç në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi, gjë që shënoi fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar presidencial.

Momenti aktual ka karakter historik, tha presidenti i ri malazez, duke u shprehur se ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokracisë ngjall shpresë, se në një mjedis më të lirë do të zgjidhen çështjet e hapura të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.

Rreth 200 personalitete marrin pjesë në inaugurimin, gjegjësisht në ceremoninë e betimit, që zhvillohet në Parlamentin e Malit të Zi, duke përfshirë ambasadorë dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Në mesin e tyre do të jenë presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj si dh presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Jakov Millatoviç, 37-vjeçar, është presidenti i parë që nuk është nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviçit, e cila pati pushtetin për tri dekada, deri në gusht të vitit 2020, kur humbi zgjedhjet.

Në garën presidenciale, ai pati mbështetjen partive në pushtet, Frontit Demokratik pro-Rus, Demokratëve dhe Lëvizjes qytetare URA.

/rtsh.al/