Një sulm ajror izraelit në një bllok banimi pesë-katësh në Beit Lahia në Gazën veriore i ka marrë jetën të paktën 34 personave.
Agjencia lokale e mbrojtjes civile bëri me dije se shumë nga viktimat janë gra dhe fëmijë, ndërsa dyshohet se dhjetëra të tjerë kanë mbetur nën rrënoja.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur objektivat e militantëve në Gazën veriore, duke përfshirë Beit Lahia, në një përpjekje për të ndaluar Hamasin nga rigrupimi.
Ndërkaq, në Gazën qendrore, tre sulme të veçanta në kampet e refugjatëve vranë 15 persona, ndërsa pesë të tjerë u vranë në një sulm izraelit me dron në Rafah në jug.
"Shanset për të shpëtuar më shumë të plagosur po zvogëlohen për shkak të të shtënave të vazhdueshme dhe granatimeve të artilerisë," tha zëdhënësi i mbrojtjes civile Mahmud Bassal.
Ushtria izraelite tha se ofensiva e saj në Gazën veriore, e cila filloi në Jabalia dhe u zgjerua në Beit Lahia, përbëhej nga disa sulme gjatë natës mbi ato që i quajti "objektivat terroriste në zonë".
Ajo shtoi në një deklaratë se "ka pasur përpjekje të vazhdueshme për evakuimin e popullatës civile nga zona aktive e luftës".
Por shumë banorë vendas nuk duan të largohen nga shtëpitë e tyre.
/rtsh.al/