RTSH 24 Live

Botë

Izraeli liron të burgosurit palestinezë, Hamasi liron pengjet izraelitë në Gaza

15/02/2025

Izraeli liron të burgosurit palestinezë, Hamasi liron pengjet izraelitë në Gaza

Tri pengje izraelite janë liruar të shtunën nga Hamasi si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës. Izraeli pritet t’i lirojë qindra të burgosur palestinezë më vonë gjatë ditës.

Militantët e Hamasit i parakaluan pengjet para një turme njerëzish në jug të Gazës, para se t’i dorëzonin te Kryqi i Kuq, si pjesë e marrëveshjes së luhatshme.

Ushtria izraelite tha se i pranoi tri pengjet: Lair Horn, 46 vjeç me shtetësi izraelite dhe argjentinase; Sagui Dekel Chen, 36 vjeç me shtetësi izraelite dhe amerikane; dhe Alexander (Sasha) Troufanov, 29 vjeç me shtetësi izraelite dhe ruse.

Ata ishin rrëmbyer më 7 tetor 2023, kur Hamasi e sulmoi jugun e Izraelit. 

Në këmbim, Izraeli liron 369 të burgosur palestinezë.

Armëpushimi, që nisi pra gati një muaji, ka qenë buzë dështimit në ditët e fundit, për shkak të një mosmarrëveshjeje mes Hamasit dhe Izraelit, me këtë të fundit që kërcënoi se do t’i rifillonte luftimet në Gazë.

Megjithatë, Hamasi tha se do të vazhdonte me lirimin e më shumë pengjeve, pas bisedimeve me zyrtarë nga Egjipti dhe Katari. Ai tha se ndërmjetësit kishin premtuar të do t’i "hiqnin të gjitha pengesat" në mënyrë që Izraeli të lejonte futjen e më shumë shatorreve, furnizime mjekësore dhe ndihma të tjera thelbësore në Gazë.

Ky është shkëmbimi i gjashtë mes Hamasit dhe Izraelit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 19 janar.

Deri më tani, 21 pengje dhe mbi 730 të burgosur palestinezë janë liruar gjatë fazës së parë të marrëveshjes.

/rtsh.al/