RTSH 24 Live

Botë

Negociatat SHBA–Rusi, DASH: Do caktojmë ekipet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

18/02/2025

Negociatat SHBA–Rusi, DASH: Do caktojmë ekipet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Ka përfunduar raundi i parë i bisedimeve mes Rusisë dhe SHBA-së, mbi arritjen e një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov u takua në Arabinë Saudite me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, por as Ukraina, as Evropa nuk u ftuan. Bisedimet zgjatën 4 orë, ndërsa një delegat i Kremlinit i konsideroi ato “pozitive dhe konstruktive”.

Pas takimit të sotëm, Uashingtoni dhe Kremlini kanë rënë dakord të caktojnë "ekipe të nivelit të lartë" për të filluar punën për t'i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, tha Departamenti i Shtetit.

Negociatori amerikan, Mike Waltz, deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump është i vendosur të lëvizë shumë shpejt në bisedimet për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë dhe se do të bisedohet për territorin dhe garancitë e sigurisë.

Një luftë e pafund në Evropë nuk është e pranueshme për Trump”, shtoi Waltz pas takimit me zyrtarët rusë në Riad.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do të njohë një marrëveshje paqeje të negociuar pa Ukrainën.

/rtsh.al/