Izraeli dhe Hamasi duket se janë në prag të një marrëveshje, teksa negociatorët janë vendosur të rimblidhen në Katar për një armëpushim në Rripin e Gazës.
Teksa citon një zyrtar palestinez, BBC shkruan se për herë të parë në luftë, delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi po zhvillojnë bisedime indirekte në të njëjtën ndërtesë. Hamasi thuhet gjithashtu se ka hequr dorë nga kushti që trupat izraelite të largohen nga Stripi.
Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se një marrëveshje ishte "në prag" të arritjes.
Shtysa e re vjen pas kërcënimeve të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump nëse nuk arrihet marrëveshje deri në momentin që ai do inaugurohet më 20 janar.
Biden bisedoi me kryeministrin izraelit Benxhamin Netaniahu të dielën, dhe me Sheikun Tamim bin Hamad Al-Thani të Katarit, i cili ndërmjetëson negociatat.
Të dyja palët ranë dakord se Hamasi do të lironte tre pengje në ditën e parë të marrëveshjes, pas së cilës Izraeli do të fillonte tërheqjen e trupave nga zonat e populluara.
Shtatë ditë më vonë, Hamasi do të lironte katër pengje shtesë dhe Izraeli do të lejonte njerëzit e zhvendosur në jug të ktheheshin në veri, por vetëm në këmbë nëpërmjet rrugës bregdetare.
Marrëveshja përfshin dispozita që forcat izraelite të mbeten në Korridorin Philadelphi dhe të mbajnë një zonë tampon 800 metra përgjatë kufijve lindorë dhe veriorë gjatë fazës së parë, e cila do të zgjasë 42 ditë.
Izraeli ka rënë dakord gjithashtu të lirojë 1 mijë të burgosur palestinezë, duke përfshirë rreth 190 që kanë vuajtur dënimin me 15 vjet ose më shumë. Në këmbim, Hamasi do të lirojë 34 pengje.
Negociatat për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të fillonin në ditën e 16-të të armëpushimit.
Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Saar, u tha gazetarëve se ishte bërë përparim dhe se marrëveshja dukej "shumë më afër se më parë".
/rtsh.al/