Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shpallur fajtorë për shpërdorim detyre ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako, për incineratorin e Elbasanit.
Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj 6 vite e 8 muaj izolim. Ndërkohë, Bllako është dënuar me 4 vite burg, që me gjykim të shkurtuar konvertohet në 2 vjet e 8 muaj burg.
Apeli i shpalli dy ish-zyrtarët e lartë fajtorë për veprën e shpërdorimit të detyrës, për të cilën kishin marrë pafajësinë nga Shkalla e Parë.
Për 7 të akuzuarit e tjerë nuk ka ndryshime të vendimit. Po ashtu, Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi edhe sekuestrot e vendosura mbi pasuritë, duke i kaluar në konfiskim.
SPAK apeloi vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së në Apelin e Posaçëm për Kokën dhe ish-deputetin Bllako, duke kërkuar shtimin e akuzës “shpërdorim detyre”. Në tetor të 2023, GJKKO dënoi ish-ministrin Koka me 5 vjet e 8 muaj burg për korrupsion, ndërsa rrëzoi akuzën e "shpërdorimit të detyrës" për incineratorin e Elbasanit.
/rtsh.al/