RTSH 24 Live

Sociale

I riu që zgjodhi zanatin e elektricistit - Denis Shehu, nga shkolla profesionale te tregu i punës

5 orë para

I riu që zgjodhi zanatin e elektricistit - Denis Shehu, nga shkolla profesionale te tregu i punës

Denis Shehu, është një i ri nga Libohova i cili  vendosi të ndjekë arsimin profesional si një mundësi për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme. Ai përfundoi studimet në shkollën profesionale "Thoma Papapano" në Gjirokastër dhe prej gati dy vitesh punon si elektricist. Për të, ky profesion nuk ishte një zgjedhje e rastësishme, por një vendim i menduar mirë, duke parë mundësitë e shumta që ofron tregu i punës për zanatet.

“Punën e kam e filluar në moshën 22 vjeçare dhe kam rreth 2 vjet që punoj si elektricist. Fillimisht ka qenë e vështirë por kam pasur ndihmë nga elektricistët më të vjetër”, u shpreh elektricisti Denis Shehu.

Si çdo profesion, edhe ai i elektricistit ka vështirësitë e veta. Denisi tregon se puna kërkon përqendrim maksimal, njohuri teknike dhe kujdes të veçantë për të shmangur rreziqet që lidhen me energjinë elektrike. Megjithatë, ai e pëlqen zanatin e tij dhe e sheh si një mundësi për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme. Për të, puna e përditshme, pavarësia ekonomike dhe aftësia për të ndihmuar të tjerët janë disa nga aspektet më pozitive të profesionit të tij.

“Është e vështirë, është e rrezikshme por është kënaqësi kur njerëzit të japin falënderime”, thotë ai.

Denisi u bën thirrje të rinjve të tjerë të mos hezitojnë të zgjedhin një shkollë profesionale dhe të mësojnë një zanat të caktuar. Ai beson se zanatet ofrojnë mundësi më të mira punësimi dhe siguri për të ardhmen.

Gazetare Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/