Administratori dhe inxhinieri i kompanisë së favorizuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë për të fituar tenderin për supervizimin e rikonstruksionit të disa qendrave shëndetësore, janë ndaluar nga SPAK.
Nëpërmjet një njoftimi, Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se janë arrestuar personat me inicialet V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k dhe inxhinieri me inicialet S. Sh., të akuzuar për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, pasi i kanë paguar Sekretares Joana Duros një shumë parash për të fituar tenderin.
Sipas SPAK, shuma prej 330.000 lekësh është marrë fillimisht nga inxhinieri i kompanisë në shtëpinë e administratorit dhe më pas ai ja ka dorëzuar Specialistes së Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Sheto.
Ishte Sheto e cila e ka dorëzuar më pas shumën e parave te Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e arrestuar në flagrancë.
Duro u vu në pranga ditën e shtunë (4 qershor), e cila u kap në flagrancë duke marrë shumën prej 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë në tenderin “Supervizimit për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”. Po ashtu në pranga ra edhe Laura Sheto.
/rtsh.al/