RTSH 24 Live

Aktualitet

Situatë pengmarrjeje, përfundon stërvitja mes forcave elitë RENEA dhe atyre gjermane GSG9

3 orë para

Situatë pengmarrjeje, përfundon stërvitja mes forcave elitë RENEA dhe atyre gjermane GSG9

Është zhvilluar të mërkurën ceremonia me rastin e përfundimit të stërvitjes së përbashkët të Repartit Special RENEA dhe Repartit Special GSG9 të Policisë gjermane, për rritjen e aftësive taktike operacionale të efektivëve të RENEA-s. 

Stërvitja e efektivëve të forcave elitë të Policisë shqiptare dhe asaj gjermane, u zhvillua për 5 ditë radhazi, për zgjidhjen e një situate pengmarrjeje, në aeroportin “Nënë Tereza”.     

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Repartit Special RENEA, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, Komandanti i Repartit Special RENEA Altin Dardha, Komandanti i Repartit Special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling dhe Ambasadori i Gjermanisë Karlfried Bergner. 

Sipas njoftimit për shtyp, gjatë fjalës në këtë ceremoni, Drejtori i Përgjithshëm Proda ka vlerësuar bashkëpunimin me partnerët gjermanë dhe ka theksuar se kjo stërvitje do t’i shërbejë shumë efektivëve të RENEA-s, për rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale, të cilat do t’i përdorin në zgjidhjen e situatave të vështira në të ardhmen.

“Ai ka falënderuar qeverinë gjermane dhe kolegët e Policisë gjermane, për mbështetjen e pakursyer dhe ka siguruar se Policia e Shtetit është një partnere serioze, profesionale dhe e besueshme për të zhvilluar bashkërisht me partnerët gjermanë, hetime dhe veprime operacionale në luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme.”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karlfried Bergner vlerësoi mikpritjen dhe stërvitjen e përbashkët dhe theksoi se tashmë ndihet më i sigurtë në Shqipëri.

Komandanti i Repartit Special RENEA Altin Dardha dhe Komandanti i Repartit Special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling vlerësuan stërvitjen e efektivëve të dy forcave elitë, e cila është një dëshmi e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë mes policive të dy vendeve.

/rtsh.al/